Skuadra e Real Madrid vazhdon të këmbëngulë për të marrë në postin e trajnerit Massimiliano Allegri, që pasi ka fituar gjithçka me Juventusin mund të pranojë ofertën dhe të drejtojë ekipin “merengues” sezonin tjetër. Për presidentin Florentino Perez, trajneri italian mbetet i preferuari, i përshtatshëm për të nisur një cikël të ri, ndaj është gati t’i ofrojë një rrogë të mirë, çka mund të prishë planet e bardhezinjve për të ardhmen.
Kontrata e Allegrit me Juven skadon në vitin 2020 dhe në rast se ajo nuk rinovohet, klubi ka gati emrin e zëvendësuesit. Ai është francezi Zinedine Zidane, që do të rikthehet te skuadra bardhezi pas 18 vitesh, por këtë herë si trajner. Pasi fitoi 3 Champions League radhazi pikërisht me Real Madrid, duke vendosur një rekord, trajneri francez mund të tentojë të bëjë të njëjtën gjë edhe me Juven, ku do të gjejë Cristiano Ronaldo, sulmuesin e tij të preferuar.
https://twitter.com/CmdotCom_En/status/1082738990548017153/photo/1
Zizu u largua nga Real pikërisht në fund të qershorit të vitit të kaluar, pasi fitoi Champions League, është ende pa ekip edhe pse është përfolur se mund të drejtojë Bayern Mynih apo Manchesteri United. Por duket se Juventusi mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm, gjithnjë nëse Allegri vendos të largohet. Duket se edhe vetë Zidane është i tërhequr nga ideja për të drejtuar bardhezinjtë, skuadër ku ka fituar gjithçka si lojtar.
/telesport/