Partizani, njëjtë si të gjitha klubet e tjera të Kategorisë Superiore ka si kriter për të patur një ekip femrash këtë sezon që pritet të nisë. Për sezonin e ri 2020-21, kriter licensimi është edhe skuadra e femrave, me Partizanin që kërkon lojtare në rrjetet sociale.

Klubi I Kuq ka bërë një njoftim në kanalet zyrtare, duke theksuar se përkushtimi do të jetë maksimal ndaj ekipit të ri. Shumë klube të Superligës kanë ndjekur këtë rrugë, me FSHF që do ndihmojë klubet nga ana financiare me totalin e shumës që kap shifrën e 800 mijë eurove.

Ndërkohë, futbolli i femrave zhvillohet prej disa vitesh në vendin tonë dhe Vllaznia e dominon frikshëm, duke fituar thuajse çdo sezon titullin.

Njoftimi I Partizanit:

“FK Partizani njofton se ka nisur organizimin për krijimin e ekipit të femrave për sezonin e ri 2020-2021. Ekipi do të debutojë në Kategorinë Superiore të FSHF-së dhe do të ketë përkushtimin maksimal të drejtuesve për të qenë në elitë, objektiv i cili është primar për të gjitha ekipet anëtare të klubit. FK Partizani fton të gjitha vajzat e moshës mbi 15 vjeç dhe që kanë patur eksperienca të mëparshme në ekipe, të na kontaktojnë”, shkruhet në njoftimin e klubit të kuq. /vipsport/