Besa ka fituar ndaj Kastriotit falë një tregolëshi të brazilianit Patrik Nonato. Kujtojmë se sulmuesi Nonato debutoi me Besën me një gol ndaj Flamurtarit në Vlorë, sapo ishte futur në ndeshje. Pas bashkimit me verdhezinjtë, 27-vjeçari po e tregon sërish veten në futbollin shqiptar.

“Gjykoj, aq sa e njoh futbollin shqiptar, se te Besa gjeta një ekip me futbollistë cilësorë dhe me përvojë. Kjo ma bën më të lehtë bashkëveprimin me grupin”, tha fillimisht braziliani për “Panorama Sport”. Kur vjen fjala te tregolëshi që i shënoi Kastriotit, Nonato thotë se ia kushton familjes së tij në Brazil. “Kush nuk kënaqet teksa shënon dhe sheh gëzim në fytyrat e shokëve të ekipit, por mbi të gjitha të tifozëve në tribuna. Ndihem i lumtur dhe këtë moment ia kushtoj zotit, 2 fëmijëve të mi, gruas sime dhe gjithë familjes që janë në Brazil. Ata ndjekin çdo hap timin dhe sadopak i kam bërë të lumtur”, vijoi Nonato. Përtej golave, dihet se Kastrioti mbetet ekip fushe dhe skuadrat e kanë të vështirë të fitojnë me të.

Për këtë, Nonato thotë se është e vështirë, por një sukses plotësisht i merituar. “Të gjithë e pranojnë se mbetet një fushë e vështirë për të luajtur dhe për të marrë fitore. Kjo fazë është shumë më e vështirë se dy të parat, pasi tani ndahen fatet e sezonit. Dikush për të mos rënë në zonën e rrezikut apo largimit nga Kategoria e Parë, të tjerat për ‘play off’ dhe ekipet në krye për të qëndruar aty dhe arritur qëllimet që kanë”, tha 27-vjeçari.

Kavajasit do të presin këtë fundjavë Lushnjën dhe për Patrik Nonaton, edhe kjo përballje nuk dallon nga 4 të parat, sa i përket synimeve. Për brazilianin, Lushnja vërtet humbi me Burrelin, por ndeshja nuk i ngjan ndeshjes ndaj duhet kujdes, përqendrim dhe sakrificë në fushë. “Ne po punojmë fort çdo ditë në stërvitje për të përgatitur çdo sfidë dhe fituar atë. Duam të mos ndalemi me fitoret, pasi si qëllimin kemi ngjitjen në Superiore. Për sa kohë shanset ende ekzistojnë, do të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë për të vazhduar të fitojmë dhe besojmë deri në fund”, përfundoi sulmuesi i Besës.

Kastrioti u ”dhuron” topa- Patrik Nonato shënoi tripletë ndaj Kastriotit dhe u dha verdhezinjve atë fitore jo të lehtë, 3-2. Ky tregolësh, për rastësi të bukur e të çuditshme, ndodh me Kastriotin për të dytën herë po me tjetër futbollist të Besës. Në javën e 4-t, ishte  Mentor Mazrekaj ai që shënonte 3 golat në atë fitore 3-0 me krutanët të arritur në Rrogozhinë. Pra, Kastrioti u “dhuron” topa lojtarëve të Besës.