Ka vetëm pak ditë që ka marrë drejtimin e ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë dhe menjëherë ka “përveshur mëngët” sepse e pret një punë shumë e vështirë. Nora Deda nuk ka shumë kohë në dispozicion për ta bërë gati skuadrën për aktivitetin e parë zyrtar, por gjithsesi po mundohet të japë më të mirën e saj.
Në një intervistë për “veriusport”, ish- sportistja që është vlerësuar si një nga “volejbollistet e shekullit” të Sk Vllaznia, shpreh keqardhjen për mbylljen e merkatos ende pa marrë ajo detyrën, megjithatë do të mundohet të bëjë në rradhë të parë ristrukturimin e ekipit aktual.
“Iu përgjigja pozitivisht ftesës së presidentit Zekja për arsye se situata e ekipit nuk është e mirë. Ka nevojë për një ristrukturim të ri, por unë besoj në aftësitë e mia dhe të kolegut tim Ardian Dodani. Gjithashtu edhe me mbështetjen e presidentit do ia dalim që ekipi i Vllaznisë të ekzistojë në volejboll, që Shkodra të ketë ekip volejbolli.
Si trajnere më duket se e marr ekipin gjithmonë në ditë të vështira, por kjo nuk më tremb. Kuptohet që do të kem ndihmën e pakursyer të asistentit tim Dodani që e njeh mirë gjendjen e ekipit. Ai është bashkëpunues dhe sëbashku por duke patur edhe mirëkuptimin e vajzave për të punuar fort.
Shoh që vajzat kanë dëshirë për të punuar dhe prandaj besoj se do ia dalim. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është se është mbyllur merkatoja pa nisur unë ende punë dhe si rrjedhojë nuk mund të marrim vajza të tjera.
Megjithatë hapi i parë që ne duhet të hedhim është ristrukturimi i ekipit dhe ai bëhet përmes punës dhe jo deklaratave. Por për më tepër, do ia lëmë kohës”- është shprehur trajnerja e sapoemëruar Nora Deda./SHKODRA-SPORT.COM/