Në karrierën si futbollist nuk pati dhe aq shumë fat sepse u detyrua ta ndërpresë shpejt si rrjedhojë e një dëmtimi, megjithatë tashmë ka nisur një karrierë si arbitër në të cilën shpreson të bëjë mirë.
E kemi fjalën për Noris Kozmaj. I rritur tek Akademia Vllaznia, ai provoi të luajë për pak kohë edhe me ekipin e parë të kuqebluve ndërkohë që më pas karriera e tij vijoi tek Mamurrasi, Kastrioti dhe e mbylli tek Ada dy vjet më parë.
Pas kësaj, nisi të merret me arbitrim dhe e ka marrë me shumë dëshirë. Studion dhe punon shumë për t’u perfeksionuar në të gjitha drejtimet dhe deri tani, hapat po i hedh të sigurtë.
Aktualisht, drejton në kampionatet e moshave të kategorisë superiore, por shumë shpejt pritet ta shohim në kategorinë e dytë. Kozmaj duket shumë i përkushtuar për t’i bërë gjërat mirë dhe çdo gjë deri tani po shkon ashtu si duhet.
Kolegjiumi i Shkodrës në fakt ka nevojë për arbitra cilësorë sepse po kalon momente jo të mira në këtë drejtim dhe duket se Noris Kozmaj, Rebi Gemi e ndonjë tjetër premtojnë për të ardhmen.
www.shkodrasport.com