Napoli është duke kaluar një periudhë të errët, teksa rezultatet mungojnë prej kohësh. Edhe në sfidën e djeshme të Serisë A, të kaltrit nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në transfertë ndaj Udinezes.
Presidentit Aurelio De Laurentis po i sos durimi dhe në rast të një hapi fals në ndeshjen e Champions League ndaj Genk, trajnerin Karlo Ançeloti e pret vendimi ekstrem.
Megjithatë, edhe në rast të një suksesi sërish ish-tekniku i Milanit mbetet buzë greminës. Dhe emrat për pasuesit e mundshëm të 60-vjeçarit në mediat italiane nuk mungojnë. Ato nisin me Alegrin, vazhdojnë me Gatuzon dhe përfundojnë te trajneri i Kombëtares, Edi Reja.
Tekniku aktual i kuqezinjve ka një lidhje të fortë me Napolin dhe presidentin De Laurentis, teksa pavarësisht faktit se pritet të vazhdojë aventurën në krye të Shqipërisë, surpriza mund të mos mungojë.
Reja ka qenë dje në tribunat e “Dacia Arena-s” për të ndjekur nga afër Napolin dhe Elseid Hysajn. Por, shkodrani nuk u aktivizua për asnjë minutë.
Megjithatë, për momentin Ançeloti mbetet në krye të Napolit dhe Reja është trajner i Shqipërisë, teksa ai që mund të prishë ekuilibrat është vetëm De Laurentis. /VipSport/