Është ndarë nga jeta në moshën 81 vjeçare një nga emrat e shquar të notit shkodran dhe atij shqiptar Halim Zaganjori. Kontributi i tij për këtë sport ka qenë i madh për vite e vite me rradhë, fillimisht si sportist dhe më pas edhe si trajner.

Ai ka startuar në vitin 1952 në përbërje të ekipit të Vllaznisë nën drejtimin e trajnerit Shuajp Mehmeti dhe më pas ka vijuar për 18 vite me radhë të jetë pjesë e Vllaznisë dhe e ekipit përfaqësues të Shqipërisë.

Gara e tij e preferuar ka qënë në stilin e lirë, duke qënë pjesë e të gjitha disiplinave, në 400 metra, 800, 1500 metra, për të vijuar më pas edhe me garën e vështirë të Maratonës, 6 kilometër, si dhe në stafetat 4 x 100, dhe 4 x 200 metra përkrah kolegëve të tij të nderuar si Zek Shestani, Selami Ibrahini dhe Smajl Elezi.

Halimi si garë të preferuar ka veçuar gjithmonë atë të 800 metrave, të cilën e kishte më për zemër nga të gjitha të tjerat, garë në të cilën ai ka arritur edhe rezultatet më të larta, qoftë si kampion i Shqipërisë dhe përmirësues disa herë i rekordit kombëtar, ndërkohë që me kohën e regjistruar në këtë garë ka merituar edhe titullin e lartë të “Mjeshtrit të Sportit”.

Por, krahas rezultateve të larta si sportist, Halim Zaganjori, ka spikatur po aq edhe në rolin e trajnerit, ku përmes punës pasionante, me përkushtim dhe plot profesionalizëm të tij me ekipin e meshkujve Vllaznia ka arritur një sërë rezultatesh positive duke qënë lider i asaj kohe në kampionatin shqiptar.

Me emra të tillë si Tonin Radovani, Sadi Anadolli, Gjon Shyti, i cili sot aktualisht është trajner profesionist në Itali duke stervitë një kampion bote, Myzafer Kroni, Fatmir Halili, Ridvan Gjeçaj, Ilir Ymeri, etj, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Halim Zaganjori, ka merituar për tetë vite me radhë titullin kampion si ekip, pa përfshirë këtu titujt dhe rekordet e regjistruara si individë.

Në vitet e fundit ka punuar si trajner i femrave, duke marrë përsipër që punën mjaft të mirë që pati bërë me këto vajza trajnerja e mirënjohur Kudrete Kozmai, ta çonte edhe më lart.

Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zaganjori për humbjen e njeriut të saj të dashur dhe njëkohësisht edhe komunitetit të notit shkodran për humbjen e një emri të shquar të tij në vite.
www.shkodrasport.com