Myrto Uzuni nuk aktivizohet me Kombëtaren prej një viti, kur luante në humbjen ndaj Francës 4-1 në transfertë, ndonëse ai ka treguar paraqitje shumë të mira me skuadrat ku luan.
Uzuni është ftuar edhe për dy ndeshjet e radhës të Shqipërisë në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë, por në ndeshjen e fituar në Minsk nuk luajti asnjë minutë, teksa pritet të shohim se çfarë do të ndodhë edhe ndaj Lituanisë.
Për këtë arsye, babai i sulmuesit beratas, Artan Uzuni, ka bërë një postim emocionues ku tregon vështirësitë e lojtarit.
Postimi i babait të Myrto Uzunit:
“Shqiponja e ardhur nga periferia e qytetit 2400 vjeçar, Berati. Myrto Uzuni, 77, ti erdhe nga hiçi bab, nga rrugicat e lagjes Uznovë. Askush nuk besonte tek ty, vetëm ti edhe unë besonim se mund t’ia dilje. Edhe unë nuk besoja se ti mund të arrije kaq lart.
Unë besoja dhe do isha i kënaqur që ti të vishje fanellën e qytetit tonë Beratit, por ti u ngjite shumë lart bab. Më the dikur, kur ti ishe vetëm 15 vjeç, kur hyre për herë të parë dhe shkele fushën e stadiumit Dinamo, kur ishim për një vizitë në Tiranë.
A do luaj vallë unë ndonjëherë te këto fusha? Por kur të pashë në “Stade de France”, duke kënduar himnin e flamurit, sytë e mi u mbushën me lot. Tani për ty stadiumet janë kush e ka radhën? Myrto, mbase je mërzitur se nuk mund të lozësh as sot, në ndeshjen e radhës së kombëtares sonë.
I urojmë suksese kombëtares sonë në ndeshjen e sotme, luan apo nuk luan ti. Myrto, ti diku mund të kesh krijuar qejf-mbetje për diçka që ke folur apo ke ndjerë. Ti fole për mister Kristian Panuçin dhe që nga ajo ditë ti ke qëndruar vetëm në stol.
Mos u mërzit babi, ti je nga ata djem që e njeh NDERIN. Ti nuk je servil dhe ashtu vazhdo, luan apo nuk luan. Besoj se nuk ka arsye tjetër shpjegimi që ti të rrish në stol tek ndeshjet e kombëtares, jo se je djali im dhe unë kam qejf që ti te lozësh, por kam dëgjuar këta palo gazetarë që thonë “lojtarët tanë të kombëtares janë pa minuta në këmbë, ndërsa lojtarët e Bjellorusisë ishin lojtarë që kampionati i tyre vazhdonte dhe do ishin më mirë në kondicionin e tyre fizik”.
Ndërsa një lojtar si Ty bab, me 3500 minuta në këmbë, lojtar formacioni në çdo ndeshje, të lënë jashtë dhe mënjanë. Ku janë këta gazetarë sot, që në ndeshjen e parë tënde me kombëtaren thoshin ‘këmbët xixa i bënin Myrto Uzunit.
Të gjithëve duhet t’u jepet mundësia për ta veshur atë fanellë, por gjithmonë kush e meriton. Kjo është e vërteta. Mos u mërzit bab, ti kudo ku ke vajtur ke bërë histori. Vajte tek Laçi, hyre në historinë e klubit. Po ashtu edhe tek Lokomotiva e Zagrebit. Mbase të ndihmon Zoti edhe me Ferencvaroshin e kaloni në grupet e Champions.
Bab, ti do më kërkosh që unë ta fshij këtë postim, por unë nuk do ta fshij edhe sikur të më lutesh dhe të më përgjërohesh, prandaj mos e merr mundimin të ma kërkosh një gjë të tille. Fitore Shqipërisë, 3-0, me golat e Balaj, Roshit e Manajt.”