Tifozët e Bajernit të Mynihut befasojnë klubin dhe UEFA-n. Ata kanë vendosur të bojkotojnë ndeshjen e Champions League me Shaktarin e Donjeckut, edhe pse bëhet fjalë për një sfidë në shtëpi.
Kjo sfidë do të luhet në muajin dhjetor në “Allianz Arena”. Dy grupimet kryesore të tifozërisë bavareze kanë vendosur të mos blejnë bileta, të cilat kanë filluar të shiten të premten.
Arsyeja është çmimi i lartë i biletave. Pankarta “Twenty is plenty” kundër UEFA-s e vendosur prej tyre në ndeshjet e kaluara është gjithë shpjegimi i kësaj indinjate.
Çmimi i biletave për takimin me Shaktarin është 52 euro, shifër e papranueshme për bavarezët. Ata janë mësuar të paguajnë 19 euro për ndeshje në kampionatin gjerman.