Prioritet është mbrojtja. Këtë gjë Kristiano Xhuntoli e shpjegoi shumë qartë në prag të sfidës ndaj Milanit dhe tashmë duket se drejtori bardhezi i ka mbyllur derën mundësisë së një sulmuesi të ri për merkaton dimërore.
“Shpresojmë të rikuperojmë Milikun që po zgjidh problemet e tij dhe që mendojmë se është shumë i përshtatshëm për lojën e Motës”, shpjegoi drejtuesi i Juventusit për Dazn. “Më pas, megjithatë, ne do të duhet të bëjmë diçka, sepse edhe numerikisht kemi nevojë për dikë”. Kështu u shpreh numri 1 i merkatos së Juventusit që ka krijuar jo pak polemika dhe ka marrë shumë kritika. Juventusi është në një situatë shumë të vështirë sa i përket sulmit.
Dushan Vlahoviç aktualisht është i dëmtuar, por ka deri më tani ka qenë e vetmja zgjidhje për Tiago Motën. Milik nuk ka qenë asnjë moment i gatshëm gjatë këtij sezoni dhe nuk dihet se kur do të kthehet nga kalvari i gjatë i dëmtimeve. Megjithatë, edhe nëse kthehet, Arkadiuzh Milik nuk jep siguri pasi nuk është vendosur kurrë në dispozicion të Motës për të parë nëse i përshtatet si duhet filozofisë së tij apo jo.
Në Itali, kjo deklaratë e Xhuntolit po shihet me një sy negativ, pasi Juventusi e ka domosdoshmëri ndërhyrjen në sulm. Milik për momentin ka vetëm “hije” dhe aspak dritë me Tiago Motën dhe nëse i besohet vetëm atij, atëherë Juvja mund të vazhdojë të qëndrojë me shumë pak opsione.