Drejtori sportiv i Lacios Igli Tare u shpreh përpara se nuk është momenti për të gjetur arsyet e krizës së skuadrës bardhekaltër në kampionat pasi ekipi i Simone Inzagit nuk po gjen dot fitoren në 4 ndeshjet e fundit duke koleksionuar 3 humbje dhe një barazim.

Për “Sky Sport”, Tare theksoi në lidhje për titullin kampion në Itali se ekipi dhe klubi duhet të shpresojnë deri në fund, pasi “në jetë asgjë nuk është e pamundur”.

“Kriza e rezultateve të Lacios – Nuk është tani momenti për të arsyetuar për ‘nëse’ dhe ‘por’. Ato çfarë janë thënë në ditët e fundit nuk janë justifikime, por fakte. Kemi pritur për këtë ndeshje (me Juventusin) dhe entuziazmi duhet të transmetohet në fushë. Në Udine treguam shpirt dhe karakter dhe kjo duhet të jetë pika e kthesë. Duhet të provojmë të fitojmë sonte.

Arsyet e rënies së ekipit – Ka patur dëmtime në skuadër. Ditët e fundit pas pandemisë ishin fantastike për ne, por teksa nisëm të stërviteshim në grup disa gjëra të pazakonta u shfaqën. Duhet të arrijmë rezultatin më të mirënë kampionat sepse askush nuk duhet të harrojë se çfarë ka dhënë kjo skuadër këtë sezon.

Titulli kampion – Nuk duhet të heqim dorë për asnjë arsye. Duhet të jemi krenarë për çfarë kemi bërë dhe duhet ta dëshmojmë sonte. Asgjë nuk është e pamundur në jetë”, deklaroi Tare.