Barcelona bën përsëri lëmsh merkaton në Europë. Klubi katalanas nuk dëshiron të ketë më pjesë të tij Luis Suarez, por në të njëjtën kohë nuk lë lojtarin të shkojë falas te një prej rivalëve në La Liga.
Luis Suarez kishte akordin e plotë me katalanasit për të ndërprerë kontratën me ta dhe për të qenë futbollist i lirë, duke hequr dorë nga disa miliona euro vetëm për t’u larguar nga skuadra ku ishte kthyer në golashënuesin e tretë më të mirë të të gjitha kohëve në 6 vitet e tij aty. Barcelona ishte mëse e lumtur, pasi Ronald Kuman nuk e cilësonte pjesë të projektit futbollistin argjentinas, por gjithçka ka ndryshuar në momentin kur Suarez gjeti akordin me Atletiko Madrid.
Mediat spanjolle raportuan se Atletiko ishte gati të hapte dyert për futbollistin nëse vinte me parametër zëro, duke i garantuar atij një rrogë prej 9 milionë eurosh në dy sezonet e marreveshjes që do të nënshkruhej vetëm falë këtij kushti.
Por në këtë mes ka ndërhyrë Barcelona, e cila nuk dëshiron që të përforcojë me kaq lehtësi një kundërshtar, ndaj katalanasit kanë bllokuar Suarez, duke kërkuar që Atletiko të paguajë në arkat e katalanasve për lojtarin, e duke bërë që madrilenët për momentin të tërhiqen.
Lëvizje që mund të bllokojë në seri edhe atë të Morata drejt Juventusit, e lë gjithçka të hapur kësisoj për marrveshjet për emra të tjerë si Kavani e Xheko, të cilët janë në kërkim të skuadrave të radhës dhe mund të përfundojnë te Atletiko. Një kaos i pazakontë, i shkaktuar nga Barcelona e cila vazhdon ende të ketë probleme të mëdha sa i përket menaxhimit të situatave me lojtarët e saj. /vipsport/