Tifozët e Juventus janë mbledhur para J-Medical, aty ku po parakalojnë të gjithë lojtarët bardhezinj në prag të sezonit të ri. Tifozët torinezë ishin të qartë në kërkesat e tyre dhe kundërshtojnë hapur drejtuesit e klubit dhe trajnerin Massimiliano Allegri në lidhje me politikat që po ndiqen në këtë merkato.
Kore të shumta kundër Romelu Lukakut, si dhe ofendime për Juan Cuadradon që do të firmosë një kontratë njëvjeçare me Inter ishin thirrjet më të zhurmshme të tifozerisë së Juventus. “Ne nuk e duam Lukakun”, “Lukaku je thjesht një i shitur pa karakter”, ishin koret për ish-sulmuesin e Inter.
Nga ana tjetër, tifozët i dolën në krah Leonardo Bonuccit që edhe pse në vitin e tij të fundit të karrierës ku dëshironte ta mbyllte me Juventus, sërish nuk u konsiderua nga trajneri Massimiliano Allegri.
“Nuk e meritoje”, ishin thirrjet për Bonuccin, i cili pritet që të bëjë një takim kokë më kokë me Allegrin, edhe pse vështirë që livornezi të lëvizë nga pozicioni i tij me mbrojtësin që do t’i duhet të kërkojë një destinacion të ri.