Zbulohen prapaskenat se përse u largua tra jneri Gerd Haxhiu dhe drejtori sportiv, Artim Pollozhani, duke prishur bashkëpunimin pikërisht në momentin kur edhe do të nisnin punën me Flamurtarin. Nuk ka qenë vetëm shkaku financiar, nga ku trajneri ka kërkuar siguri për këtë gjë, por mollë “sherri” është bërë një lojtar shumë i njohur. Bëhet fjalë për sulmuesin shkodran Xhevahir Sukaj.
“Panorama Sport” mëson se trajneri Gerd Haxhiu i ka bërë të ditur administratorit Idrizi se Sukaj nuk ishte në planet e tij dhe se klubi është nxituar me këtë vendimmarrje, duke e prezantuar shkodranin të martën. “Sukaj nuk është në planet e mia. Duhet që të konsultoheshim për këtë pjesë. Ndaj, tani duhet të zgjedhësh, mes atij dhe meje. Për këtë gjë unë vë veton time”, mësohet se është shprehur Haxhiu në takimin e shkurtër që bëri me Idrizin ditën e largimit.
Por, edhe administratori nuk ka toleruar, duke mos lëshuar pe për të mbajtur Sukajn në skuadër. Idrizi i ka thënë Haxhiut se nuk mund ta kthejë pas Sukajn, teksa e ka konfirmuar, duke i thënë se mes tij dhe sulmuesit, zgjedh këtë të fundit. “Unë Sukajn nuk e kthej dot, pasi kam arritur akordin me të dhe nuk mund që ta prish.
Nëse ty nuk të pëlqen, je i lirë të vazhdosh. Faleminderit për bashkëpunimin, kaq ishte”, mësohet se i ka thënë Idrizi trajnerit Haxhiu. Në ditën e parë të stërvitjes, teksa është takuar me sulmuesin Sukaj, administratori e ka thumbuar atë për ngjarjet që pasuan pikërisht të mërkurën. “Po ku je o Xhevahir! Hajde, hajde, se për ty prisha ekipin unë”, i ka thënë Idrizi Sukajt.
REAGIMI – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, administratori i Flamurtarit është shprehur se kishte dëshirë të vazhdonte bashkëpunimin me trajnerin Gerd Haxhiu, por kaq ishte e thënë. “Ishte dëshira ime që të bashkëpunoja me Gerdin. E kam telefonuar para një jave. Ramë parimisht dakord për të bërë diçka, por me mirëkuptim më pas vendosëm t’i jepnim dorën njëri-tjetrit.