Juve ka humbur rrugën, kriza duket e pakthyeshme. Humbja ndaj Lazios në “Olimpico” është e pesta e sezonit, e katërta nëse merren parasysh vetëm dy muajt e fundit të tmerrshëm. Një periudhë në të cilën bardhezinjtë shuan ëndrrën “Scudetto” dhe filloi të shfaqej frika e mos kualifikimit në Champions League, gjë që deri pak javë më parë dukej lehtësisht e arritshme.
Duke filluar nga Juve-Empoli i 27 janarit të kaluar, një kthesë e vërtetë negative e sezonit bardhezi, skuadra e Allegrit ka grumbulluar vetëm 7 pikë në 9 ndeshje, duke arritur të fitojë vetëm në një rast (Juve-Frosinone më 25 shkurt). Një ecuri që Juventusi nuk e kishte regjistruar nga sezoni 1998/99, periudhë e gjatë negative që çoi në dorëheqjen e Marcello Lippit.
Trajneri nga Viareggio u largua nga stoli bardhezi (dhe më pas u kthye dy vite e gjysmë më vonë) më 7 shkurt 1999, pas ndeshjes Juve-Parma 2-4. Menjëherë pas Udinese-Juventus 2-2 më 8 nëntor 1998, një ndeshje që hyri në histori për shkak të dëmtimit të Alessandro Del Piero, filloi një cikël në të cilin skuadra e Lippit arriti të fitonte vetëm kundër Salernitana në “Delle Alpi” (me “hat-trick” nga Inzaghi), humbje kundër Romës, Bologna, Lazio dhe Fiorentina, si dhe barazimeve ndaj Empolit, Milanit, Barit dhe Venezia: 7 pikë në 9 ndeshje.
Më pas fitore ndaj Perugia, humbje në fushën e Cagliari dhe disfatë në shtëpi ndaj Parmës, me trajnerin e ardhshëm të kombëtares kampione të botës duke mbajtur këtë fjalim të famshëm lamtumire:
“Nuk e meritoj ta mbyll në këtë mënyrë, nuk e meritoj në mënyrën më absolute. Unë u përpoqa të bëja gjithçka që ishte e mundur dhe e imagjinueshme për t’i dhënë një pikë kthese këtij ekipi, për ta rritur atë. U përpoqa ta ktheja sadopak në jetë, bëra gjithçka që munda. Për momentin ky është një ekip me karakter shumë të brishtë, shumë i brishtë mendërisht.
Nuk është në gjendje të shprehet. Pra, nëse problemi jam unë, kam vendosur të jap dorëheqjen. Le të shohim nëse ky ekip ka problemin e Lippit. Nëse kjo brishtësi është krijuar prej meje, pres që skuadra të ndryshojë shpejt.
Për momentin nuk është në gjendje të përmbysë asgjë, nuk është në gjendje të bëjë asgjë që di të bëjë, jam i bindur. Nuk e meritoj ta përfundoj në këtë mënyrë, por marr të gjitha përgjegjësinë dhe ju përshëndes, lamtumirë”.
Në prag të ndeshjes Fiorentina-Juventus, një ndeshje e luajtur më 13 dhjetor 1998, Lippi njoftoi se do të largohej nga Juventusi në fund të sezonit: “Nuk po tradhtoj askënd. Vendosa verën e kaluar që do të largohesha dhe në një nga darkat që i hamë zakonisht në Viareggio, ua komunikova Giraudos, Moggit e Bettega-s. Iu thashë çfarë kisha në kokë dhe zemër. Po, po, largohem nga Juventusi, sepse pas 5 vitesh besoj se është e drejtë ta ndërpresim marrëdhënien tonë”.
Pas dorëheqjes së Lippit, Carlo Ancelotti mori drejtimin dhe e përfundoi sezonin në vendin e shtatë (duke dështuar për të kapërcyer Udinese në “play-off” për akses të drejtpërdrejtë në Kupën UEFA), që nënkuptonte “Intertoto” dhe eliminim në gjysmëfinale të Champions League kundër Manchester United.