Nedim Bajrami hyri në historinë e Kampionatit Europian me golin e shënuar ndaj Italisë. Lojtarit kuqezi i mjaftuan 23 sekonda lojë për të dërguar topin në rrjetë: askush në historinë e Evropianit nuk kishte shënuar një gol më të shpejtë.
Fansat e përfaqësueses sonë do të ishin të lumtur të kishin një fanellë të Bajramit e kur bëhet fjalë për atë që ka veshur mbrëmjen 15 qershorit kunder Italisë, do të ishin të gatshëm të paguanin shuma marramendëse.
Në fakt, sikurse edhe pritej, bluza që Nedim Bajrami ka veshur kundër Italisë është më e kërkuara në ankandin e fanellave që kuqezinjtë kanë veshur ndaj të kaltërve. Deri në orën 10:00, shuma e ofruar për fanellën e Bajramit kishte arritur 2.100 euro, ndërsa për atë të Armando Brojës, 800 euro.