Egnatia ka një ndeshje të vështirë përpara. Përballet me Elbasanin e rikthyer në elitë si një skuadër e investuar, që aktualisht mban vendin e tretë, pas rrogozhinasve dhe Vllaznisë.
Trajneri i kampionëve në fuqi, Edlir Tetova, e ka vlerësuar kundërshtarin, teksa ka folur për ndeshjen e së dielës në konferencë shtypi. Megjithatë, ka pohuar se nuk i druhet Elbasanit dhe se Egnatia do të kërkojë 3 pikë në këtë transferte të vlefshme për javën e 6-të të Superiores.
ELBASANI – “Çdo stërvitje gjatë javës ka shkuar mirë, po i afrohemi ditës së ndeshjes dhe mendoj se çdo gjë është gati. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shumë e fortë, por ne shkojmë për tri pikët në Elbasan. Me atë që ka treguar Elbasani, mendoj që është një skuadër shumë e organizuar, që luan futboll të mirë, megjithatë ne vazhdojmë me objektivat tona.
Nuk i druhem Elbasanit. Me investimet dhe organikën që ka, ky kundërshtar të jep pamjen e një ekipi që pretendon, por jam i fokusuar vetëm te skuadra ime, tek ajo që do të bëjmë mirë ne. Fusha në Elbasan është një faktor, por mendoj se është për të dyja skuadrat. Është terren shumë i mirë, që i lejon lojtarët të shprehin vlerat e tyre më të mira. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Egnatias.
GJENDJA – Tetova ka edhe një seanca stërvitore para sfidës me Elbasanin, por ai e ka të qartë se çfarë formacioni do ta përballojë atë.
“Në ndeshjen e fundit me Bylisin na u rikthye Kasa, por kemi humbur Dylis. Ai nuk është akoma gati, sepse prej tre ditësh nuk është stërvitur me ekipin. Kjo do të jetë mungesa e vetme për këtë ndeshje. Ekipi po merr formë, por sigurisht që dëmtimet nuk na bëjnë mirë. Nuk janë dëmtime që vijnë nga stërvitja, por nga goditjet e kundërshtarit.
Çdo gjë do kohën e vet, e dimë që koha është armiku kryesor, por shumë shpejt Egnatia do të jetë aty ku e duam të gjithë. Përveç ndeshjes në Shkodër me Vllazninë, të tjerat kanë qenë në rritje graduale për skuadrën tonë, jo me hapa gjigantë. Ka edhe shumë kohë nga ky kampionat dhe do të rritemi”, ka përfunduar trajneri durrsak i rrogozhinasve, Edlir Tetova.