Zllatan Ibrahimoviç ka qenë nga ata personazhe që kanë kontribuar shumë në rikthimin e Milanit te rezultatet pozitive. Impakti i suedezit pasi u afrua në janar është i padiskutueshëm, jo vetëm për anën sportive, por më shumë për mentalitetin që iu ka transmetuar shokëve të skuadrës.

Për këtë arsye, kuqezinjtë dhe sidomos trajneri Stefano Pioli kërkojnë ta kenë me patjetër në organikë 38-vjeçarin edhe në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, bisedimet mes palëve kanë nisur me Ibrën që kërkon gjashtë milionë euro në sezon, ndërsa klubi kërkon ta ulë pak duke i ofruar më pas disa bonuse. Mirëpo, përsa i përket anës financiare, nuk është objektivi kryesor i sulmuesit.

Zllatan kërkon garancinë që ekipi i sezonit të ardhshëm të jetë i ndërtuar për të dalë kampion, pra konkurrues. Ndërkohë, është edhe kushti që suedezi kërkon të jetë një titullar i skuadrës, por kjo me trajnerin Pioli duket mëse e arritshme, pasi ky i fundit e vlerëson pamasë suedezin. /VipSport/