Alen Sherri i ofron besnikëri Vllaznisë. Portieri nuk ka në plan që të largohet pa ngjitur fillimisht ekipin në elitë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani u bën “skanerin” 12 javëve të para dhe thekson se përtej diferencave me rivalët, asgjë nuk ka përfunduar.

Katër gola të pësuar e bëjnë që të ndihet krenar për veten, por mundohet që meritën ta ndajë me pjesën tjetër të ekipit. Në një kampionat si Kategoria e Parë ka edhe sulmues që të hapin punë dhe gardiani i kuqebluve tregohet i sinqertë kur thotë se vështirësi ka hasur me Griseld Likën e Korabit.

Jeni shtatë pikë nga vendi i dytë dhe dhjetë pikë nga i vendi i tretë, me këto ritme ngjitja duket një formalitet….

Është e rëndësishme që të vazhdojmë rrugëtimin dhe të ruajmë ritmin, por të mbyllur do ta quajmë vetëm atëherë kur ta sigurojmë ngjitjen matematikisht. Nuk duhet t’i lëmë asgjë në dorë fatit apo rastësisë.

Luani edhe dy javë në shtëpi para mbylljes së 2018-ës, çfarë pret Sherri nga këto 180 minuta?

Normalisht që të bëjmë më të mirën dhe objektivi është i qartë, të sigurojmë dy fitore për të mbyllur 2018-ën siç duhet. Ndeshjet në shtëpi janë detyrë për t’u fituar, kështu që duhet të marrim maksimumin në këto 180 minuta.

Këtë javë keni një tjetër rival përballë, si e parashikoni ndeshjen me Besëlidhjen?

Mund të them se kemi hasur vështirësi në takimin e parë me këtë skuadër. Është një ekip që luan mirë dhe krijon volum loje. Ne po e vlerësojmë pozitivisht këtë kundërshtar. Nuk ka vend as për nënvlerësim apo mbivlerësim. Megjithatë, fakti që do ta luajmë në shtëpi na kushtëzon për të mos hedhur hapa të gabuar, nuk kemi asnjë alternativë tjetër veç marrjes së trepikëshit.

Cili ka qenë kundërshtari që ju ka hapur më shumë punë në këto 12 javë?

Kundërshtari më i fortë është Iliria, meqenëse është i vetmi ekipi që na ka shkaktuar humbje. Nuk e di pse janë në atë renditje, pasi kundër nesh treguan nivel të mirë loje.

Po sulmuesi që ju ka vënë më shumë në vështirësi kush ka qenë?

Sulmuesi më i vështirë mendoj se ka qenë Griseld Lika i Korabit. Ka qenë rrezik konstant në të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar ndaj kësaj skuadre.

Jeni portieri që keni pësuar më pak në këtë kategori, vetëm 4 gola. Ju ngacmon sedrën ky fakt?

Të jem i sinqertë, më bëhet qejfi që kemi pësuar kaq pak. Megjithatë, merita është e gjithë ekipit. Kemi treguar që jemi shumë solidë në fazën mbrojtëse. Shpresoj të mbajmë këtë ecuri deri në fund.

Nëse ju vjen ndonjë oferte e parefuzueshme në janar, e mendoni largimin nga Vllaznia?

Arsyeja e qëndrimit tim ka qenë e qartë që në fillim të kampionatit, kështu që vendimi është që të rri deri në fund të sezonit. Pastaj, e ka edhe klubi në dorë.