Simone Inzagi ka qenë disi më i lehtësuar pas miqësores së sotme që Interi luajti kundër Çelsit në Londër. Zikaltrit barazuan 1-1, teksa shfaqën një lojë më të mirë se në ndeshjen e mëparshme ndaj Monzës, ku zikaltrit u mundën 0-2.

“Nuk isha i shqetësuar pas Monzës, është normale që në përgatitje të plotë fizike të kemi një problem me performancën. Sot sigurisht që patëm një ndeshje të mirë, këmbët tona ishin më të lehta se disa ditë më parë dhe kjo na lejoi të luanim më shumë së bashku, duke ruajtur më shumë distancat dhe ekuilibrat e duhur. Vuajtëm kur ishte e nevojshme, por më pëlqeu fakti që ne ishim gjithmonë të gatshëm përpara për të shqetësuar Çelsin.

Që tani e tutje, të gjitha energjitë janë të fokusuar te përgatitja për debutimin e së shtunës në kampionat kundër Xhenoas. Këto ndeshje janë të gjitha fazat që çojnë tek e shtuna, na pret një sfidë shumë e vështirë.

Skuadra e Alberto Xhilardinos është në formë të mirë dhe mjedisi ka entuziazëm të madh”, tha Inzagi pas duelit ndaj Çelsit.