Ato që dukeshin si zëra të merkatos, do të bëhen shpejt realitet. Antonio Konte dhe Leonardo do të jenë pjesë e Milanit ndoshta që gjatë kësaj jave.

Sipas portalit “Sportmediaset”, i cili si zakonisht ka burime shumë pranë klubit kuqezi, ndryshimet e mëdha pritet të fillojnë që pas të shtunës, kur të mblidhet këshilli i ri administrativ i klubit për të vendosur për kompetencat tani që kuqezinjtë kanë kaluar nën menaxhimin e fondit “Elliot”.

Pronarët e rinj të Milanit kanë më shumë besim te eksperienca e Kontes në nivele të larta se sa te Gatuzzo, edhe pse në ditët e kaluara kishin garantuar se ish-mesfushori nuk do të largohej nga drejtimi.

Fakti se Konte u shkëput më në fund nga Çelsi, hap përsëri dyert për të, sidomos nëse arrin të marrë nga blutë edhe Moratën si dhe të bindë Bonuçin të mos largohet.

Përkrah tij do të jetë si drejtor i përgjithshëm Leonardo, ndërsa Fasone e Mirabeli kanë filluar që tani të kërkojnë një sistemim diku tjetër, pasi eksperienca e tyre si kuqezinj po shkon drejt fundit. /vipsport/