Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, ka folur për mediat e vendit të tij në prag të sfidës në çerekfinale kundër Marokut. Në fakt duhej të fliste për takimin dhe rëndësinë e madhe, por pjesën më të madhe të konferencës për shtyp ai e ka shpenzuar duke dhënë shpjegime në lidhje me situatën e krijuar në skuadër me Kristiano Ronaldon.

Që pas humbjes 1-2 përballë Koresë së Jugut në takimin e fundit në grup, mes Ronaldos dhe trajnerit Santos ka pasur fërkime, teksa situata ka mbërritur deri në kërcënimet e 37-vjeçarit me largim nga grumbullimi i kombëtares portugeze në Katar. Ka qenë vetë trajneri i luzitanëve, Fernando Santos, i cili ka vendosur t’u vërë kapakun diskutimeve në lidhje me situatën e Kristianos.

“Ai nuk më ka kërkuar kurrë, nuk ka kërcënuar kurrë me largim nga grumbullimi i kombëtares portugeze. Mua nuk më ka thënë asgjë nga këto. Besoj se duhet ta shihni dhe mënyrën e sjelljes së tij. Festoi golat e shokëve të ekipit ndaj Zvicrës, i përgëzoi ata, por në një moment u largua i vetëm. Kjo nuk do të thotë asgjë”, ka deklaruar Fernando Santos.

BISEDA – Gjatë shpjegimeve të tij, trajneri i Portugalisë ka nënvizuar se mes tij dhe Ronaldos ka pasur një bisedë para takimit kundër Zvicrës. “Kam zhvilluar një bisedë me Ronaldon, ku folëm për situatën e kombëtares. Kjo ndodhi para takimit ndaj Zvicrës, sepse do t’i komunikoja se ai do të ishte zëvendësues.

Ia bëra të qartë se nuk do të ishte titullar. Natyrisht që nuk ishte i lumtur, por biseda mes nesh ishte më se normale. Secili kishte opinionin e tij. Kur një lojtar është kapiten i Portugalisë dhe e nis nga stoli nuk mund të jetë i kënaqur. Kur i thashë se nuk do të ishte titullar më pyeti nëse kjo ishte një ide e mirë. E qartë se nuk ishte i kënaqur. Por ju siguroj se asnjëherë nuk ka kërkuar largimin nga grumbullimi”.

APELI – E gjithë kjo situatë aspak normale vlen në një moment kyç për Portugalinë, e cila është në kërkim të një vendi në gjysmëfinalet e kampionatit. Ndaj, trajneri i luzitanëve ka dashur t’i japë fund çdo debati në lidhje me sulmuesin e vet. “Po e përsëris, kurrë nuk më ka thënë se do të largohet nga grumbullimi i kombëtares.

Por tani është momenti t’u japim fund diskutimeve. Doli në nxehmje kundër Zvicrës, zbriti në fushë, festoi golat me shokët e ekipit, përgëzoi shokët e tij, por vendosi të largohej i vetmuar. Është më mirë ta lëmë Ronaldon të qetë, ta lëmë në paqe”, ka thënë Fernando Santos.

MAROKU – Santos nuk mund të qëndronte pa folur edhe për Marokun, duke nënvizuar se e gjithë skuadra është gati për të bërë historinë. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por shumë e rëndësishme për ne. Më kënaq fakti që të gjithë janë gati. Objektivi ynë është i qartë”, tha Fernandos Santos.