Hamdi Salihi do të vazhdojë të jetojë në Austri dhe pranë qytetit të Vjenës ku gjendet familja e tij dhe për momentin ky është prioriteti i ish-sulmuesit të përfaqësueses shqiptare.
Futbollisti tregoi në sezonin e fundit me Viener Nojshtad në kategorinë e dytë austriake se nuk e ka humbur nuhatjen e golit, duke realizuar 22 të tillë në 33 ndeshje.
Por ai nuk ka ndërmend të zhvendoset në një klub larg Vjenës, pasi i ka dhënë prioritet jetës pranë familjes së tij në këto vite të fundit të karrierës si futbollist.
Këtë e ka zbuluar drejtori sportiv i SV Ried, Frenki Shiemer, i cili u mundua të nënshkruante me lojtarin i cili kishte luajtur disa vite më parë me klubin në fjalë.
“U munduam shumë që të organizonim transferimin dhe kishim bisedime intensive me Hamdi Salihin. Nuk ishte çështje financash, mund ta siguronim financimin për ta blerë.
Por fatkeqësisht ai anuloi gjithçka në fundjavë për arsye familjare”, shpjegoi drejtuesi i klubit në të cilin Salihi u bë një emër i njohur edhe në arenën ndërkombëtare 10 vite më parë. /vipsport/