Kastriot Dermaku ka kaluar një vit fantastik këtë sezon me fanellën e Kosencës në Serinë B italiane dhe ka refuzuar që të rinovojë kontratën për një tjetër sezon.

Dëshira e mbrojtësit të Kombëtares, është të luajë në një ligë më të fortë dhe këtë e ka pranuar vetë në konferenca për shtyp dhe ka oferta nga klube të ndryshme nga Seria A e Turqia por dëshira e tij është të mos largohet nga Italia.

Eksperti i merkatos në Itali, Alfredo Pedula raporton se mbrojtësi kuqezi ka arritur akordin me skuadrën e Parmës dhe pasi t’i përfundojë zyrtarisht kontrata me Kosencën, do të prezantohet te Parma. Kontrata e tij aktuale, skadon ën fundin e muajit qershor ndërkohë që nga korriku ai mund të bashkohet me Parmën.

Në të kaluarën, pjesë e Parmës ishte edhe Andi Lila që u kthye edhe në protagonist duke shënuar 2 gola me fanellën e Parmës ku njërin prej tyre ia shënoi Interit.

Kjo do të jetë aventura e parë e Dermakut në Serinë A italiane duke bërë që të rritet edhe më shumë numri i futbollistëve shqiptarë. /Erjon Allaraj-VipSport/