Merr fund shpresa e dy ekipeve veriore për ngjitjen një kategori më lart. Kjo do të thotë se edhe sezonin e ardhshëm Tërbuni dhe Veleçiku do të jenë pjesë e kategorisë së dytë të futbollit shqiptar sepse edhe në sezonin që po mbyllet ato dështuan në përpjekjet e tyre për ngjitjen në të parën.
Pasditen e djeshme janë luajtur ndeshjet e para të fazës play-off. Tërbuni i Pukës ka luajtur në Librazhd ndaj Sopotit vendas dhe është mundur me rezultatin e pastër 2-0. Pukjanët kanë rezistuar vetëm 28 minuta, pikërisht deri atëherë kur Aminu ka kaluar në avantazh Sopotin.
Pavarësisht përpjekjeve të futbollistëve të Tërbunit për të barazuar, ato nuk ia kanë dalë dhe madje kanë pësuar edhe një gol të dytë me autor Micin dhe këtu është mbyllur gjithçka. Sopoti fiton 2-0 dhe vazhdon garën për të tentuar deri në fund një vend në kategorinë e parë.
Në Luz ndërkohë Veleçiku ka rezistuar më shumë ndaj vendasve dhe pjesa e parë është mbyllur në shifrat e barabarta 0-0, çka u dha shpresë koplikasve se mund t’ia dalin për ndonjë surprizë, por nuk do të ndodhte kështu. Në minutëm e 50-të ata do të ndëshkoheshin me golin e parë me autor Jakubu dhe në të 79-tën me të dytin shënuar nga Morina.
Përfundimisht 2-0 për Luzin që vijon më tej garën, ndërkohë që Veleçiku e mbyll këtu duke e siguruar objektivin që kishte për këtë sezon pasi pretendimet e tij nuk ishin për më lart nisur nga përbërja dhe shumë faktorë të tjerë. Ndërsa për Tërbunin ky sezon edhe mund të quhet dështim sepse drejtuesit e tij kanë qenë të prirur për t’u ngjitur një kategori më lart.(www.shkodrasport.com)