Mos e beso po deshe! Thyerja e masave disiplinore është kthyer në “modë” në klubet e Superiores shqiptare. Partizani dha shembullin me mesfushorin Lorenc Trashi, ndërsa tani ka qenë radha e Kukësit për t’i treguar rregullat mesfushorit me tipare të avancuara, Arbër Çyrbja.
Ky i fundit luajti si titullar në ndeshjen e fundit kundër Laçit, por para disiplinës së brendshme të klubit nuk ka rëndësi askush.
Supersport bën me dije se mesfushori me tipare të avancuara është dënuar të zhvillojë stërvitje me Kukësin B deri në një urdhër të dytë.
Lojtari ka pranuar masën e klubit dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Edmond Dalipi për skuadrën e dytë. Ai ka thyer disiplinën e brendshme të klubit, por nuk jepen më shumë detaje në lidhje me rregullin që ka thyer.
Çyrbja u ble në merkaton e verës nga Teuta si një lojtar i rëndësishëm, por deri tani ka zhgënjyer me pritshmëritë e tij. Ai nuk ka dhuruar shumë me verilindorët.
25-vjeçari ka luajtur 10 ndeshje, nga të cilat 6 si titullar, por nuk ka përshëndetur asnjëherë rrjetën. Mbetet për t’u parë nëse futbollisti do të rikthehet në ekip para ndeshjes shumë të fortë kundër Flamurtarit./telesport/