Kanë përfunduar ndeshjet e javës së 26-të të Kategorisë së Parë. Nuk zhgënjejnë skuadrat e kreut, që fitojnë ndeshjet respektive në transfertë.
I zakonshmi Ruzgis shënon golin e radhës për Vorën në Peshkopi, duke vulosur fitoren minimale 1-0 të kryesuesve në transfertë përballë Korabit. Fiton edhe Flamurtari, që triumfon 2-1 në Fier përballë Apolonisë.
Ritmin e dy skuadrave të kreut e ruan edhe Besa që fiton me përmbysje 3-2 përballë Kastriotit. Protagonisti i sfidës për kavajasit është sulmuesi Nonato, që shënon tre gola.
Pogradeci mposht 3-0 në shtëpi Erzenin, ndërsa me të njëjtin rezultat Kukësi mund Valbonën në shtëpi. Burreli merr një fitore të rëndësishme në “Roza Haxhiu”, duke mundur 3-1 vendasit e Lushnjës.