Xhejms Milner pranon se Liverpuli nuk bëri ndeshjen më të mirë në Mynih, megjithatë kjo tregon edhe forcën e kësaj skuadre për t’ia dalë edhe kur luan nën nivelin e pritshmërive.

“Ishte një rezultat i mirë. Nuk bëmë lojën tonë më të mirë, por ajo që ka rëndësi është të mbrosh mirë dhe në fund të marrësh tri pikët”, tha mesfushori i Liverpulit, duke bërë një lapsus në lidhje me pikët. “Van Dajk shënoi një tjetër gol. Për të qenë i sinqertë, ai duhet të shënojë edhe më shumë duke parë shtatlartësinë e tij.

Dëmtimi i Hendersonit tregon shumë për skuadrën që kemi. Të humbasësh kapitenin në fillim të ndeshjes është e vështirë, por ne e menaxhuam mirë. Hyri Fabinjo dhe ai luajti shumë mirë, pastaj shënuam”. Për autorin e asistit të golit të dytë pasja e 4 ekipeve angleze në 8 më të mirat është një arritje:

“Është diçka pozitive për futbollin anglez. Këtë dëshirojmë ne. Nuk e dimë se me çfarë kundërshtari do të ndeshemi në çerekfinale, por kemi ndjesi të mira nga viti i shkuar dhe shpresojmë që të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur”.