Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës do të hapë sërish dyert në fundjavë për të pritur skuadrën e Kukësit. Stadiumi i ri i Kukësit po vonon të inagurohet dhe duket se do të vazhdojë sërish turi i stadiumeve për ekipin e Kukësit.
Edhe pse u tha se në shkurt do jetë gati, impianti sportiv i qytetit të Kukësit duket se nuk është ende gati për të pritur një ndeshje futbolli dhe inagurimi i tij në këtë mënyrë po shtyhet çdo ditë e më shumë.
Në këto rrethana, verilindorët janë detyruar të kërkojnë një stadium tjetër për ndeshjen që do të luajnë këtë javë ndaj Teutës dhe drejtuesit duke se kanë zgjedhur Shkodrën si “shtëpinë” e tyre, për faktin se është më afër me Kukësin, si edhe besojnë se do të kenë edhe mbështetjen e tifozërisë vendase.
“Shkodra Sport” mëson se kjo sfidë e vlefshme për javën e 22-të të Abissnet Superiore, do të luhet të shtunën në ora 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Akordi me drejtuesit e Vllaznisë mësohet se është arritur dhe kjo tashmë pritet të konfirmohet edhe zyrtarisht.
Në Shkodër, edhe tifozët verilindorë të Kukësit do të kenë më shumë mundësi për të ardhur në stadium, por nga ana tjetër do të kishin përkrahjen edhe të shkodranëve që mund të vijnë në stadium.
Kujtojmë që, kjo nuk është ndeshja e parë që Kukësi luan në “Loro Boriçi”, teksa ka luajtur aty edhe ndeshjet ndaj Skënderbeut dhe Partizanit këtë sezon.
Maringlen ZHIVANI