Vllaznia arriti të merrte një pikë në transfertën e djeshme kundër Laçit. Kuqeblutë barazuan me rezultatin 1-1 kundër bardhezinjëve, një rezultat që ndoshta mund të konsiderohet pozitiv. Por në mënyrën se si u zhvillua takimi, shkodranët mund të merrnin akoma edhe më tepër.

Protagonist i ndeshjes me golin e tij për ekipin e Joses ishte Herald Marku. Mesfushori shënpi golin e barazimit pas avantazhit të kurbinasve. Për mëngjërashin ky ishte goli i tretë këtë sezon pas 8 javëve të para. Duke qenë kështu ai golashënuesi më i mirë i Vllaznisë deri më tani.

Në një moment ku pritej që diferencën me gola ta bënte Latifi, Aralica apo edhe Kaina, diçka e tillë nuk po ndodh. Pasi protagonist me rrjeta është Marku, që pak kush mund ta priste. Por golat e 26-vjeçarit kanë pasur shumë vlera për Vllazninë. Kjo pasi siguruan fitoren kundër Kukësit ku shifrat ishin mbërthyer në rezultatin 1-1 dhe Marku i dha 2 pikë më tepër Vllaznisë në atë ndeshje.

Po ashtu kundër Tiranës shënoi golin e sigurisë për shifrat 0-2, e në fund rezultati ishte 1-2 për kuqeblutë. Ditën e djeshme ai shënoi sërish, për pikën e rradhës të shkodranëve. Me një llogari të thjeshtë golat e Markut vlejnë 5 pikë për Vllazninë.

Në një moment ku skuadra ka grumbulluar 11 pikë, ai “vlen” gjysmën e pikëve të skuadrës. E të gjithë e njihnin Markun për forcën dhe grintën e tij në fushën e lojës e ndërsa tashmë po e njohin edhe si golashënues.

Endri ÇINARI