Skënderbeu po plotësohet dita-ditës dhe tashmë është në kulmin e fazës përgatitore. Pas tri testeve miqësore, duket se bardhekuqtë kanë hyrë në ritmin e tyre dhe po ambientohen me grupin, pjesë e të cilit pritet të bëhen edhe lojtarë të tjerë veç kapitenit Zguro, që mbërriti një ditë më parë. Për trajnerin Migen Memelli, gjithçka po ecën mirë.

Teksa kërkon të tjera përforcime, ai komenton edhe zhvillimet më të fundit në kampin bardhekuq. Me prishjen e marrëveshjes me Carkanjin, i cili zgjodhi të vijojë karrierën në Australi, korçarët afrojnë Gresild Likën nga Partizani dhe Sebastian Mollën, të cilët do t’u nënshtrohen testimeve, nga të cilat trajneri bardhekuq shpreson të gjejë një Jorgo Meksi të ri.

“Këmbët janë ende të rënduara dhe lojtarët janë në kulmin e fazës përgatitore. Ajo që është e rëndësishme mbetet fakti që grupi po fiton besim dhe po luan si i barabartë edhe me ekipe të Superiores. Tani është koha që gjërat t’i bëjmë më të pjekura dhe me mend, edhe pse nuk kemi pjesën më kryesore të lojtarëve. Zguro u rikthye, ndërkohë do të bëjmë edhe dy afrime të tjera dhe jemi duke parë me kujdes lojtarët afrikanë për të vlerësuar se çfarë mund të na japin. Presim edhe dy afrikanë të tjerë të na bashkohen shumë shpejt, që të plotësojmë grupin, i cili do të përballojë kampionatin.

Ajo çka lojtarët bënë mirë në testin me Bylisin, janë gjërat që po fillojnë të automatizohen. Kemi të tjera për t’u plotësuar, por janë edhe katër javë përgatitje dhe do të bëjmë gjithçka për të qenë gati në fillim të kampionatit. Jemi ende në fazë testimi dhe prove dhe po i shohim lojtarët me kujdes. Filtri i provave është shumë i fortë. Do të mundohemi të ‘peshkojmë’ një Jorgo Meksi tjetër, pasi edhe ai ka dalë nga një provë e tillë.

Carkanji? Ai nuk do të vijë pasi zhvillimet e merkatos kanë prishur këtë transferim. Lojtari vendosi që të vijojë karrierën e tij në Australi dhe kjo është një zgjedhje e tij. Ne po mundohemi të shohim të tjerë elementë që do të kompletojnë gjithë skuadrën.

Berisha? Ai vjen nga post-COVID-i dhe po bën planin individual. Është lojtar i Skënderbeut deri në dhjetor dhe ne do e trajtojmë si të tillë. Pastaj çështjen që do të ndajë ai me klubin, i takon atij dhe presidentit”, u shpreh trajneri Migen Memelli për “Panorama Sport” pas testit me Bylisin, që u fitua nga korçarët me rezultatin 2-1.