Pas pushimit që i rezervoi kalendari, Veleçiku është gati për të nisur fazën e tretë. Mbijetesa është në rrezik, e megjithatë koplikasit do të luftojnë deri në fund për të evituar rënien. Drejtori sportiv nuk dëshiron që të dorëzohet, ndonëse e pranon se këtë sezon kanë mbledhur më pak pikë se kurrë me parë.

Gjatë një deklarate për “Panorama Sport”, Nuri Rexha thotë: “Këtë sezon kemi grumbulluar më pak pikë se çdo sezon tjetër, por këto ishin mundësitë tona për këtë kampionat.

Matematikisht jemi në lojë dhe shpresojmë t’ia dalim. Sezonet pararendësi fati ka qenë me ne në ‘play off’, shpresojmë që edhe këtë herë të bëjmë mirë.

Mungesa e një kontigjenti cilësor futbollistësh dhe disa largime, por edhe dëmtime serioze na kanë kushtuar shumë. Kjo na ka lënë në fund të klasifikimit për Grupin A. Do të provojmë t’ia dalim në fazën e tretë. Nuk kemi ç‘humbasim”.