Shefi i Sektorit të Garave në FSHF-së Lysien Nurishmi premtoi se nëse FSHF-ja nuk ndihmohet financiarisht nga qeveria shqiptare për të shlyer klubet e futbollit tonë, atëherë ky institucion do të kërkojë asistencën ekonomike nga UEFA ose do të marrë kredi.
Në një lidhje direkte me “News 24”, zyrtari i futbollit shqiptar theksoi se asnjë klub nuk rrezikon falimentimin ekonomik, pasi disa prej tyre protestuan për mospërfshirje në paketën e ndihmës financiare meqënëse janë në varisë të bashkive të vendit. Në lidhje me kampionatin, Nurishmi shtoi se FSHF-ja synon që gara të rinisë në qershor dhe të përfundojë në korrik.
“Kampionati – Më e rëndësishmja është ta mbyllim në fushë kampionatin. Do të ishte më e mira, ajo është më e rëndësishmja. Do ishte mirë të përfundonin në fund të korrikut. Më pas do shohim edhe për rikthimin e tifozëve. Do të ishte perfekt që të mbyllej me tifozë. Për fillimin e kampionatit do ishte mirë të mbyllej sa më shpejt sezoni pasi kemi 4 skuadra që do konkurrojnë në kompeticione europiane dhe ja lehtësojmë UEFA-s.
Muaji gusht është vendimtar për këto skuadra. Nuk kemi menduar për skenarin më të keq dhe nuk duam të mendojmë. Duam të rifillojmë në fillim të qershorit dhe të mbarojë në fund të korrikut. Të ndyrshohet skema dhe të përfundohen edhe 10 ndeshjet e mbetura.
Ndihma financiare për klubet – Të gjithë kishim një mendim që qeveria do e fuste futbollin në paketën financiare pasi është një numër i konsiderueshëm futbollistë, staf, etj. Duke parë që qeveria nuk e përfshiu, atëhere FSHF akordoi fondin 400 milionë lekë për t’i ardhur në ndihmë. Futbolli nuk luhet në Superligë por dhe kategori të ulëta, mosha. Në rast se kjo situtatë vijon, pritet ndihmë nga UEFA apo FIFA. Nëse nuk ndodh FSHF do marrë kredi.
Kritikat e klubeve që kontrollohen nga bashkitë – Një nga pakënaqësitë e klubeve është për të pasur futboll. Ka dhe klube që interesohen për pjesën financiare. Deri tani nuk ka klube që rrezikojnë falimentin. FSHF është shprehur e gatshme që kur të kërkojnë ndihmë t’i ndihmojmë financiarisht. Nuk do të ndihen të braktisura.
Jemi një vend që nuk jemi rrezikuar si Italia, Spanja, Gjermania apo Belgjika, Franca. Megjithatë UEFA do ta gjejë mundësinë që ky sezon të përmbyllet në fushë e lojës”, përfundoi shefi i Sektorit të Garave të FSHF-së Lysien Nurishmi.