Kategoria Superiore ka prodhuar dy rezultate “fantazmë” këtë edicion. Kjo, për vetë epitetin që kanë golat të cilët nuk saktësohen nëse sfera e ka kaluar plotësisht vijën fatale apo jo. Si për ironi të fatit, të dy këta gola i ka pësuar skuadra kampione në fuqi. Në fillim, ndaj Kukësit në humbjen 1-0 në “Air Albania” dhe sërish në stadiumin e ri kombëtar përballë Bylisit, me këta të fundit që barazuan rezultatin falë një goli të tillë.
Për këtë, “Panorama Sport” ka kontaktuar shefin e Sektorit të Garave në FSHF-, i cili përgjigjet për sistemin e vijës fatale, por jo vetëm. Nurishmi deklaron se FSHF po studion mundësinë e instalimit të sistemit VAR në dhjetë stadiumet e Kategorisë Superiore dhe shumë shpejt do të ketë një takim me përfaqësues të FIFA-s mbi këtë çështje.
A do të ketë një sistem “Goal Line Teknologji” (teknologjia e vijës së portës) në Shqipëri dhe pse nuk instalohet në stadiumin kombëtar?
Për këtë nuk kam dijeni për momentin. Nuk mund të përgjigjem, por mund t’ju bëj me dije se po punojmë mbi sistemin VAR.
Për çfarë bëhet fjalë?
Po punohet që të ekzistojë sistemi VAR në kampionatin shqiptar, për të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore.
Bëhet fjalë që të aplikohet në pjesën e mbetur të këtij sezoni?
Nuk mund ta themi dot në këtë moment. E sigurt është që jemi në fazë studimi dhe në punë e sipër. Megjithatë, duhet parë, të përcaktohet kostoja dhe mundësitë për aplikimin e këtij sistemi. Jemi akoma në fazë studimi.
Cila do t’i mbulojë shpenzimet?
FSHF. Sa janë kostot për vendosjen e sistemit në kampionatin shqiptar? Për këtë do të na informojë FIFA. Presim të na thotë se sa është kostoja për një ndeshje dhe për të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. E presim këtë, për vetë përvojën e aplikimit të VAR-it me miratimin e UEFA-s apo FIFA-s në kompeticione të tjera. Pra presim përvojën prej saj. Shpejt do të ketë një takim me përfaqësues të FIFA-s, për të diskutuar mbi këtë çështje.