Ditën e dielë ishte menduar që Vllaznia të nisej drejt Ulqinit për të zhvilluar fazën më intensive të përgatitjeve për fazën e dytë të kampionatit, por kjo gjë vështirë të ndodhë. Kjo është konfirmuar ditën e djeshme nga vetë trajneri I kësaj skuadre Shpëtim Duro. Ai, I pyetur nga “Shkodra Sport” se deri kur skuadra do të vazhdojë të stërvitet në Shkodër, ka nxjerrë në dritë shqetësimin kryesor të skuadrës në këto momente. Madje, atij dashje pa dashje, buza I ka shkuar në gaz lidhur me pyetjen e bërë. Jo se kishte gjë me gazetarin por sepse gjykonte se nuk ishte pyetja e duhur në këto momente.
“Ju e kuptoni vetë se në çfarë situate ndodhemi. Në qoftë se nuk do marrë zgjidhje çështja e donatorëve, unë kuptohet që do të vazhdojë stërvitjen këtu sepse ka shumë probleme financiare për të marrë zgjidhje më parë se të mendojmë se ku do të stërvitet Vllaznia. Këto ditë janë disa pagesa për t’u bërë. Ne jemi dakord me masat që ka marrë klubi me gjobën e vënë prej një rrogë e gjysëm për secilin prej nesh por në të njëjtën kohë jemi shumë të ndjeshëm edhe për ato se çfarë kemi për të marrë. Janë ditët e fundit ku futbollistët por edhe unë si trajner kemi për të marrë këstet e kontratave deri më datën 20 prandaj duhet të zgjidhet më parë ky problem, pastaj të mendojmë se ku do ta zhvillojmë stërvitjen”- ka thënë Duro. Ai tashmë ka dalë hapur me pretendimin e tij. Por jo vetëm. Futbollistët mesa duket I ankohen përditë për situatën e krijuar. Data 20 janar është data e fundit e marrjes së këstit të kontratës për disa prej futbollistëve. Dhe nuk janë pak. Gjysma e skuadrës duket se ka për të marrë shuma jo të vogla në janar. E kanë të shkruar në kontratë këtë gjë. Bashkë me to edhe trajneri Duro ka për të marrë 4 milionë lekë. Në kushte të tilla, gjërat nuk duken normale. Deri të dielën skuadra duket se do ta vazhdojë normalisht stërvitjen. Pas kësaj dite, askush nuk garanton se çfarë do ndodhë. E ka thënë këtë gjë edhe vetë trajneri dje kur ka shtuar: “Po nuk u zgjidh ky problem, nuk është normale të vazhdohet puna”.
Klubi. Në arkën e klubit aktualisht nuk ekziston shuma e duhur për t’I bërë të gjitha këto pagesa. Për t’I gjetur këto para, duhet të zhvillohet mbledhja tjetër e Këshillit Bashkiak për të miratuar një fond shtesë. Por edhe nëse ky fond miratohet në fund të janarit, për të kaluar në numrin e llogarisë së klubit, duhet një periudhë njëmujore. Prandaj dhe situata nuk është shumë e qartë. Madje kjo mund të jetë edhe një nga arsyet pse biznesmeni Agron Çela nuk ka pranuar ende të firmosë akt- marëveshjen sepse do garanci nga Bashkia se kur do t’I kalojnë këto lekë. Ai që në momentin e marrjes së detyrës, do të përballet me presionin e futbollistëve për të marrë lekët e prapambetura. Këstet e kontratave, apo dhe gjysma e rrogës së dhjetorit (ngaqë gjoba ka qenë një muaj e gjysëm, pra nëntori dhe gjysma e dhjetorit), duhen paguar sa më parë. Një situatë jo shumë normale megjithatë do të marrë zgjidhje nëse drejtuesit aktualë të klubit nuk duan që gjërat të precipitojnë për më keq. Shpëtim Duro ka paralajmëruar dje se ai I pari dhe më pas edhe futbollistët, nuk do të stërviten ditën e hënë nëse atyre nuk u jepen paratë që kanë të shkruara në kontratë, ose të paktën data e saktë se kur do t’I marrin ato.
Gjergj KOLA