Nga Maringlen ZHIVANI

“Nxënësi” mund “Profesorin”. Kështu mund të quhet përballja e dy shkodranëve që luajnë në kampionatin kosovar, futbollistit Antonio Marku dhe trajnerit Edi Martini. Jo shumë larg, Marku e kishte trajner Edi Martinin tek Vllaznia, ndërkohë që në pjesën e parë të sezonit, që të dy ishin pjesë e Teutës së Durrësit.


Dhe, për koinçidencë, që të dy lanë Teutën dhe kampionatin Abissnet Superiore të Shqipërisë për t’u inkuadruar në futbollin kosovar. Edi Martini, si trajner i Trepçes, në përvojën e tij të parë në këtë kampionat, ndërkohë që mbrojtësi Antonio Marku, me një përvojë më të gjatë me disa ekipe të Kosovës, bëhet pjesë e Drenicës.


Dhe, vjen momenti interesant i kësaj jave, kur kalendari i xhiros së 18-të vë përballë Trepçen e Edi Martinit me Drenicen e Antonio Markut. Një përballje që mori jo pak vemendjen e opinionit sportiv kosovar e më gjërë, edhe për faktin, se në Mitrovicë, Trepça e vendit të dytë me 32 pikë që vinte pas dy fitoreve radhazi, priste Drenicen kryesuese të klasifikimit me 35 pikë.


Një moment i mirë për Trepçen, që në rast fitoreje të barazohej me pikë me Drenicen kryesuese, por ndodhi e kundërta, sepse Drenica e Antonio Markut, falë dy golave të shënuar nga Fofana dhe Koka, fiton në transfertë me rezultatin 0-2, edhe pse pjesën e dytë e luajti me një futbollist më pak.
Në këtë mënyrë, mund të themi se “nxënësi” Antonio Marku i Drenicës doli fitues ndaj “Profesorit” Edi Martini.


Për t’u theksuar është se krahas kryesimit të kampionatit, Drenica e kryesuar nga trajneri Arsim Thaçi, është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, ku do të përballet me Llapin, me takimin e parë që do ta luajë jashtë dhe ndeshjen e kthimit në shtëpi.