Vllaznia do të luajë ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit në shtëpi ndaj Flamurtarit. Shkodranët vijnë nga dy humbje radhazi e përballë ekipit të vendit të fundit në renditje kërkojnë 3 pikët.
Pas minifazës përgatitore në Ohër, Vllaznia është rikthyer në Shkodër për të nisur përgatitjet e këtij takimi që do të luhet në mesjavë.
Një nga lojtarët kryesor të skuadrës është edhe mesfushori i avancuar, Arsid Kruja. I rikthyer në Shkodër janarin e kaluar, 26-vjeçari ka luajtur në 16 takime këtë sezon duke shënuar një gol e 2 asiste. Në një intervistë për Newsport.al, Kruja flet për minifazën e kaluar në Ohër, afrimet e reja si dhe objektivat e Vllaznisë e ato personale.
Si shkoi minifaza përgatitore?
Minifaza përgatitore shkoi shumë mirë. Gjatë qendrimit zhvilluam 3 ndeshje miqësore të cilat na shërbyen për të parë gjendje e gjithsecilit.
Keni bërë disa afrime, mendoni se Vllaznia ka nevojë ende për afrime?
Edhe grupi që jemi bashkë, me këta lojtarët të cilët kanë ardhur besoj se do të bëjmë performancë dinjitoze. Pjesën tjetër të kampionatit nëse drejtuesat do të sjellin lojtarë që na shërbejnë do të jetë akoma më mirë.
Cili është objektivi i Vllaznisë këtë sezon?
Objektivi është të japim maksimumin dhe mos të diskutojmë mbijetesën. Për pjesën e Europës t’i marrim shkallët një e nga një. Pse mos të tentojmë, nuk e shikojmë veten më poshtë se ekipet e tjera.
Në aspketin personal cili është objektivi juaj?
Objektivi personal është të bej më të mirën për ekipin ku jam rritur dhe t’i shërbejë sa më mirë. Pastaj duke dhënë më të mirën këtu mund të shikoj ndonjë alternativ diku jashtë, por gjithmonë fillimisht i përqendruar tek Vllaznia.
Sfida e radhës ndaj Flamurtarit, si e shikoni këtë ndeshje?
Sfida me Flamurtarin është një sfidë shumë delikate pasi ata e kanë ndeshje jetike. Ne e vlerësojmë maksimalisht dhe futemi në fushë për të marrë 3 pikët e të shohim përpara.
Përse Vllaznia e ka më të thjesht të fitojë jashtë fushe sesa në shtëpi?
Ndoshta nga presioni i tifozëve pasi në Shkoder janë të shumta. Besoj se kjo situatë do të kalojë sepse tifozët do na mbeshtesin dhe do arrijme rezultate pozitive e në Shkodër.
Dy skuadra si Flamurtari dhe Luftëtari me shumë probleme, mendoni se ndikon në prishjen e garës?
Ne duhet të shikojmë ekipin tonë dhe të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje.