Sezoni që po kalojnë Berat Gjimshiti dhe Myrto Uzuni, nuk ka rënë në sy vetëm të tifozëve shqiptarë, që po ndjekin javë pas jave paraqitjet që po bën mbrojtësi i Kombëtares në Serinë A e sulmuesi në Hungari. Të dy po shkëlqejnë në repartet përkatëse duke marrë vlerësime e vëmendjen mëse të merituar të tifozëve e shtypit sportiv.

Paraqitje të cilat vërtetohen edhe ekspertët e statistikave të futbollistëve. Observatori i futbollit CIES, në raportin e fundit që ka përgatitur mbi të dhënat e InStat, ka nxjerrë 10 lojtarët më rezultativë në kampionatet kryesore të Europës dhe vlerësimet për dy lojtarët në fjalë kanë qenë të dukshme.

Vlerësimet janë bërë duke përllogaritur minutazhin në fushë, efektivitetin e tyre në bazë të statistikave individuale si dhe nivelin në të cilin luajnë.

Në Serinë A, Berat Gjimshiti është futbollisti që renditet në vendin e 8 të këtij klasifikimi, i kaluar vetëm me një pikë nga Mikhrtarian dhe me 2 nga Ibrahimoviç e Berardi.

Një renditje që tregon qartësisht se si mbrojtësi shqiptar tashmë shihet si një nga lojtarët më të mirë të Serisë A ku po shkëlqen me paraqitjet e tij dhe me Atalantën po luan për objektiva madhorë.

Ndëkrohë, në kampionatin hungarez, Myrto Uzuni po bën diferencën me Ferencvarosh dhe jo vetëm për golat që po shënon.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka qenë protagonisti i padiskutueshëm i këtij edicioni ku Ferencvaroshi ka dominuar pa probleme në Hungari, teksa ka dhuruar edhe paraqitje mbresëlënëse në Europë.

Duke u bazuar në statistika, CIES e rendit Uzunin në vendin e 5 mes futbollistëve më rezultativë në këtë kampionat, si për t’i vërtetuar klubit të tij ka bërë një zgjedhje të goditur me afrimin e sulmuesit në merkaton e verës. /vipsport/