E ardhmja e një prej mesfushorëve më të ndjekur nga Kosova dhe Shqipëria, mund të ndryshojë gjatë merkatos së janarit. Bastien Toma, një nga talentet që ka shpërthyer në radhët e Sion në vitet e fundit, ka marrë oferta të ndryshme dhe mund të largohet nga kampionati zviceran.
Sipas mediave zvicerane, Tomën e ka ndjekur në miqësoren e fundit të zhvilluar nga Sion ndaj Herakles një skaut i Atalantës, me klubin italian të interesuar për shërbimet e tij. Por nuk është vetëm kjo skuadër, pasi të njëjtat burime sqarojnë se Strasburgu dhe Monako nga Franca po monitorojnë lojtarin gjithashtu e nuk përjashtohet mundësia e ofertës në janar për të.
“E di që ka interes, por unë kam kontratë këtu deri në verën e vitit 2021 dhe po përqendrohem te futbolli. Çdo gjë tjetër është punë e menaxherit tim”, u shpreh vetë Toma rreth kësaj çështje në mediat zvicerane ku pranoi se ëndrra e tij kishte qenë gjithmonë të luante për një nga ekipet e mëdha spanjolle, Real apo Barça. “Sigurisht e di që rruga do të jetë e gjatë, e di që më duhet të punoj shumë për të dhe do të kërkohen shumë kohë dhe shumë hapa të vegjël”, deklaroi lojtari.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo e Kosovës janë prej kohësh në kontakte me Tomën për ta bindur të veshë fanellën e tyre në vend të asaj zvicerane, por mesfushori për momentin nuk ka lëvizur nga pozicioni i tij duke përfaqësuar helvetët. Megjithatë, prej disa muajsh përflitet se ai është një prej emrave që trajneri Shaland po insiston personalisht që ta bëjë pjesë të “Dardanëve” në të ardhmen. /vipsport/