Ylli më i ri i futbollit shqiptar dhe Kombëtares tonë është Ylber Ramadani. Mesfushori u grumbullua nga trajneri Christian Panucci me ekipin e parë dhe madje u aktivizua si titullar në sfidën e humbur kundër Norvegjisë (0-1).
I riu luan me ekipin e Vejles në ligën e dytë daneze dhe është një ndër futbollistët më të rëndësishëm të këtij klubi.
21-vjeçari ka një lidhje mjaft të fortë me trajnerin Adolfo Sormani. Ky i fundit e ka marrë me vete nga skuadra e Partizanit, ku punuan me njëri-tjetrin.
Trajneri italian mori drejtimin e skuadrës së Vejles dhe menjëherë mori me vete dhe mesfushorin kosovar.
Paraqitjet e mira të Ramadanit te skuadra e Vejles dhe aktivizimi i fundit me Kombëtaren i kanë rritur goxha pjacën 21-vjeçarit.
Interesimi në merkato për të ka qenë i madh. Burime të ndryshme të Eduasportin.com pranë lojtarit bëjnë me dije se për të ka interes nga Turqia, Zvicra dhe liga e parë daneze.
Në lidhje me këto lajme, portali u lidh me menaxherin e Ramadanit që sqaron gjithçka në një prononcim të tij për EDS-në. Matko Jurkic tregon gjithçka në lidhje me ofertat e Ramadanit dhe mundësinë që mesfushori të lëvizë.
“Po e vërtetë. Lajmet e merkatos janë të vërteta. Për Ramadanin kanë shfaqur interes ekipe në Turqi, Zvicër, por dhe në ligën e parë daneze.
Emra klubesh? Nuk dua të jap për momentin, pasi dua që mesfushori të bëjë mirë me ekipin e tij dhe të mos mendojë për merkaton.
Të jetë i përqendruar me ekipin e Vejles. Dua të falënderoj dhe trajnerin Sormani që e ka ndihmuar shumë. E ardhmja? Nuk i dihet.
Duhet parë se si do të përfundojë sezoni dhe nëse Vejle do të arrijë objektivin dhe të kapë ligën e parë. Më pas do të vendosim se çfarë do të ndodhë.
E theksoj, për momentin futbollisti është i interesuar të bëjë mirë me skuadrën e tij dhe ekipin kombëtar”, – sqaron menaxheri i Ramadanit.
Kur e pyet nëse futbollisti ka mundësi të ndryshojë ekip në verë, vjen përgjigjja standarde. “Ka mundësi, por nuk i dihet asnjëherë”. Ramadani është përfshirë në pjacë dhe shanset janë që futbollisti të ndryshojë ekip në verë.
Shpresojmë për një ekip më të madh në karrierë. /EDS/