Raportohet se klubi skocez i Celtic ka bërë një tentativë mbresëlënëse për të emëruar Jose Mourinon në krye të skuadrës. Trajneri portugez vazhdon të jetë pa ekip që nga shkarkimi i tij nga skuadra e Manchester United në dhjetorin e kaluar.
Në krye të ekipit të Celtic aktualisht është i komanduar deri më 30 qershor 2019 Neil Lennon, por duket se drejtuesit e klubit kanë të tjera ide për të ecur përpara. Ishte ish-sulmuesi Chris Sutton ai që ka zbuluar lajmin e bujshëm për “BT Sport”, kur deklaroi se ish-klubi i tij kishte bërë përpjekjen e parë për të afruar Mourinhon në krye të ekipit.
“Është shumë e vështirë të qëndrosh këtu dhe të thuash se cili do të jetë trajneri i ardhshëm i Celtic, sepse është një punë e madhe. Do të ketë shumë trajnerë në diskutim për atë vend”, analizoi Sutton.
“Mourinho është përfolur seriozisht dhe unë jam i prirur të besoj se ka patur diçka serioze, një ofertë konkrete. Por pse do ta merrte ai postin te Celtic? Nuk arrij ta kuptoj. Nuk di detajet e sakta, por ka patur një ofertë”, konfirmoi ish-sulmuesi./telesport/