Sa i përket merkatos në dalje, përveç 3 të larguarve me parametra zero, të kuqtë kanë marrë disa oferta për lojtarët që kanë spikatur më së shumti. Në qendër të merkatos është Arinaldo Rrapaj, për të cilin të kuqtë kërkojnë një shifër prej rreth 600-700 mijë eurosh. Por deri më tani, për vlonjatin dhe për pjesën tjetër të skuadrës nuk ka mbërritur asnjë ofertë, që bind Demin të heqë dorë nga ndonjëri prej senatorëve të ekipit.

Sa u përket afrimeve, për momentin nuk është negociuar me asnjë emër konkret, por klubi është ende në studimin e tregut dhe në hartimin e listës së alternativave. Me ardhjen e Shehit, në ditët në vijim pritet që gjërat të bëhen me konkrete.

Përveç një sulmuesi “gjakftohtë”, ku Skuka është kthyer në opsion në ditët e fundit, mbrojtja do të ketë vëmendjen më të madhe. Pritet të shihet edhe për një mesfushor “shkatërrues”, rol, të cilin aktualisht nuk e bën askush.

Trajneri Shehi e ka të nevojshëm një lojtar të tillë për skemat e tij, pasi te Tirana kemi parë ta ketë gjithnjë. Në sezonin e parë ishte Ardit Toli, ndërsa më pas u transferua Albano Aleksi. Largimi i Matondos në verë ka lënë një “gropë”, që nuk është zënë ende në ekipin e kuq.

KONTRATAT – Sakaq, kontratat e lojtarëve aktualë mbeten ende një problem. Përveç Muratajt, e ardhmja e të cilit vijon të mbetet e paqartë, edhe Sota dhe Atanaskoski kanë kontratë deri në verën e ardhshme dhe nuk është e qartë dëshira e tyre për të rinovuar apo jo.

Duke pasur parasysh faktin se Orges Shehi vjen në klub me një plan afatgjatë, me siguri durrsaku do të kërkojë në klub me patjetër rinovimin me këta lojtarë, që të paktën deri më tani kanë qenë elementë kyç për formacionin.