Verilindorët kanë përfunduar fazën e dytë në vendin e dytë, me 34 pikë, vetëm 3 më pak se Partizani. Kukësi pati një ecuri mjaft të mirë në 5 javët e fundit, ku arritën të korrin 4 fitore dhe 1 barazim, 13 pikë të grumbulluara.

Duke parë këtë ecuri të shkëlqyer, presidenti Safet Gjici, i shtyrë edhe nga stafi i tij pa nisur mirë merkatoja, filloi të shpenzojë duke afruar dy futbollistë mjaft të mirë, si Rroca, por dhe Shkurtaj, edhe pse ky i fundit akoma nuk ka firmosur. Kukësi ka blerë kartonin e Shkurtajt për shumën e 50 mijë eurove.

Donjet Shkodra

Verilindorët në kuadër të përforcimeve pritet që t’i ofrojnë një kontratë serioze Donjet Shkodrës, të cilit i ka përfunduar kontrata aktuale që ka firmosur në shtator me verilindorët.

Shkodra në fund të muajit gusht pati probleme me drejtuesit e Kukësit, pasi ata i kërkuan ulje rroge, por mbas një dënimi dyjavor në ekipin e të rinjve, lojtari u rikthye dhe shkëlqeu gjatë gjithë fazës së dytë, ku zëvendësoi më së miri Besar Musollin. Dhe pse jo në rolin e tij, Shkodra arriti të bëjë diferencën duke kënaqur trajnerin Cungu, por dhe vet presidentin Gjici.

Oferta

Duke qenë një lojtar i lirë, në adresë të Shkodrës kanë ardhur shumë oferta nga klube shqiptare, si Tirana, Flamurtari e Skënderbeu, por edhe nga jashtë vendit. Gazeta zbulon ekskluzivisht se është klubi qipriot Ael Limasol që i ka bërë një ofertë konkrete 29-vjeçarit, duke i ofruar një kontratë 2-vjeçare me 8 mijë euro në muaj neto. Futbollisti nuk u ka kthyer një përgjigje drejtuesve të klubit të njohur qipriot, pasi së pari do dëgjojë ofertën e klubit të Kukësit, pastaj do vendosë për të vijuar karrierën.

Drejtuesit e Kukësit e kanë llogaritur si pjesë të klubit edhe për fazën përgatitore që ekipi do të zhvillojë në Turqi nga data 4 deri më 16 janar. Në fillim të janarit pritet që palët të takohen dhe të vendosin për vazhdimësinë.

Përveçse trajnerit Cungu dhe drejtuesve të tjerë, janë senatorët e ekipit verilindor që kanë dhënë Ok-in dhe kanë kërkuar që Shkodra të vijojë të jetë pjesë e Kukësit, pasi cilësitë e tij janë të padiskutueshme, por duke njohur dhe mirë ambientin e lojën e ekipit, prezenca e tij është domosdoshmëri për rrugën drejt titullit kampion. Në fillim të janarit, para se ekipi të niset drejt Antalias, pritet që të firmosë dhe Vasil Shkurtaj.