Manchester United e ka bërë prioritet transferimin e qendërmbrojtësit holandez Matthijs de Ligt, por një gjë e tillë nuk po del e lehtë.Trajneri i United, Erik Ten Hag dëshiron të bashkohet me De Ligt dhe i ka kërkuar klubit që të përshpejtojë transferimin e bashkëkombësit të tij.

Sipas asaj që raportohet nga gazeta gjermane ‘Bild’, klubi anglez ka bërë një ofertë fillestare e cila i është kthyer mbrapsht dërguesit pasi u gjykua se nuk i përmbushte pritshmëritë.

Djajtë e Kuq mësohet se kanë ofruar ofruar 30 milionë euro, plus pesë milionë në formën e bonuseve, por për klubin bavarez ishte ofertë shumë e ulët.

Gjithnjë sipas raportimeve nga Bild, De Ligt ka arritur tashmë një marrëveshje me Manchester United disa kohë më parë, por Bayerni po kërkon më shumë.

Në fakt, Bayerni e vlerëson çmimin e qendërmbrojtësit holandez të paktën 50 milionë euro dhe kjo është pika fillestare për gjetjen e një marrëveshjeje. Mbetet të shihet gjatë ditëve të ardhshme nëse United do rritë ofertën, apo De Ligt do të mbetet te Bayerni. /Telegrafi/