Kilian Mbape nuk është në periudhën e tij më të lumtur sa i përket marrëdhënieve me trajnerin Tomas Tuhel. Megjithatë, drejtuesit e PSG i dinë vlerat e sulmuesit që disponojnë dhe kërkojnë ta mbajnë me çdo kusht në Paris.

Kontrata e 21-vjeçarit skadon në vitin 2022, ndërsa për momentin bisedimet për rinovimin kanë stopuar. Kjo, pasi në lojës është edhe Real Madrid.

Madrilenët janë të tërhequr për të firmosur me Mbape, i cili në kryeqytetin spanjoll do kishte të njëjtin ndikim si Kristiano Ronaldo. Ndërkohë, kampioni i botës është një dëshirë e madhe e trajnerit Zinedin Zidan. Gjithsesi, parisienët nuk janë dorëzuar dhe së fundmi përgatiten t’i ofrojnë një pagë faraonike Mbapes.

Klubi është i gatshëm të shpenzojë 41 milionë paund në vit, për ta mbajtur në ekip yllin më të shndritshëm. Nëse palët bien dakord, atëherë Mbape do të kthehej në lojtarin më të paguar të skuadrës, duke tejkaluar edhe Nejmar. Tashmë, mbetet për t’u parë nga dëshira e vetë 21-vjeçarit, i cili e ka shprehur se ka tërheqje për Realin./vipsport/