Saudi Pro League synon të rrëmbejë një nga portierët më të mirë në vitet e fundit në Europë. Manchester City ka marrë një ofertë prej 25 milionë paundësh nga Arabia Saudite për portierin Ederson.

30-vjeçari ua ka bërë të qartë drejtuesve që është gati të largohet nga “Etihad Stadium” për të ndjekur gjurmët e Riyad Mahrez dhe Aymeric Laporte, të cilët gjithashtu u larguan drejt kampionatit saudit në sezonin e shkuar.

Kontrata aktuale e brazilianit me kampionët e Anglisë përfundon në 2026 dhe diskutimet për rinovimin e saj janë ndërprerë.

Ederson do të bëhet portieri më i shtrenjtë në planet nëse transferimi i tij finalizohet në Lindjen e Mesme, pasi pritet të përfitojë rreth 500,000 paund në javë nga kontrata faraonike e sheikëve.

Negociatat mes klubeve do të vazhdojnë në ditët në vijim, pasi City kërkon 30 milionë paund. Qëndrimi i klubit ishullor me lojtarët që duan të largohen është gjithmonë i njëjtë. Duke mos e refuzuar kërkesën e tyre në rast se kërkojnë një aventurë të re.

Klubi favorit për të marrë shërbimet e “gardianit” latin është Al-Nassr, aty ku Ederson do të bashkohej sërish me ish-shokun e skuadrës, Aymeric Laporte.

Në ekipin e ri do të gjente dhe Cristiano Ronaldon e Sadio Manenë. Emra të frikshëm, me synimin e madh për të fituar titullin kampion që skuadrës i mungon prej vitit 2019.