Manuel Nojer nuk ka bërë një para qitje të mirë në fazën e parë të kampionatit. Kapiteni i Bajernit nuk ka qenë ai që jemi mësuar të shohim në këto vitet e fundit. Arsyet për këtë duket se i di ish-portieri i bavarezëve, Oliver Kahn. Sezoni i ri nën drejtimin e trajnerit të ri, Niko Kovaç, ka sjellë shumë turbulenca në skuadrën e Bajernit.
Një arsye kryesore për periudhën pjesërisht negative që kaluan kampionët e Gjermanisë duket se është Manuel Nojer. Shifrat flasin kundër kapitenit, i cili nuk kishte pësuar kurrë më shumë gola me Bajernin sa në këtë sezon. Ish-portieri i Shalkes tani shihet me lupë nga shumë analistë sportivë duke e cilësuar atë si pikën më të dobët të skuadrës.
Një faktor i rëndësishëm për këtë moment jo të mirë është edhe dëmtimi që Nojer pësoi në fillim të sezonit të kaluar. 32-vjeçari humbi sezonin me Bajernin, duke u rikthyer në kohë për Botërorin, ndonëse luajti vetëm një ndeshje miqësore me “pancerat”.
Trajneri Joakim Lëv hoqi dorë nga Ter Shtegen, duke i besuar Nojerit çelësat e portës në Rusi. Kronologjia e ngjarjeve që rrodhën më pas janë të qarta për të gjithë: Gjermania u eliminua nga faza e grupeve në Botëror.
Oliver Kahn, i cili ashtu si dhe Nojer ka fituar Champions-in me Bajernin në vitin 2001, ka folur për problemin psikologjik të Nojerit për shkak të dëmtimit që pësoi. “Manuel po vuan një problem mendor. Atë po e gërryejnë mendimet se një dëmtim tjetër do t’i ndodhë sërish. Kjo është normale pas një dëmtimi. Në kokë të vijnë shumë mendime. Nuk duhet të vritem sërish, përndryshe karriera ime do të përfundojë”, u shpreh Kahn.
KËSHILLA PËR T’U RIKTHYER SI MË PARË
Por “Titani”, siç quhet ndryshe ish-portieri bavarez, mendon se Nojer ka ende mundësi për t’u rikthyer në formën e mëparshme. Sipas tij, kapiteni i Bajernit duhet të kalojë frikën dhe të fitojë më shumë vetëbesim. “Ai duhet të mendojë sa më pak për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Në situatat kur duhet të vendosë nëse do të hidhet apo jo, duhet ta bëjë pa u menduar dy herë. Vetëm kështu mund të mposhtësh frikën që kë brenda teje”.
Një frikë, për të cilën Nojer nuk ka folur asnjëherë. I pyetur vazhdimisht për formën e tij, portieri i Bajernit ka mohuar të ketë probleme me shëndetin. “Që nga vera nuk ndiej asnjë shqetësim në krah. Jam stërvitur mirë dhe mendoj se jam në gjendje për të luajtur në nivele të larta”, u shpreh Nojer, i cili nuk shfaqi asnjë gjurmë të frikës apo pasigurisë.
Por, problemet e tij janë të dukshme, mjafton të kujtosh barazimin 3-3 në shtëpi ndaj Dyseldorfit në fazën e parë të Bundesligës dhe kupton që diçka nuk shkon. Faza e dytë fillon të premten, Bajerni do të udhëtojë për në Hofenhaim ku do të nisë gjuetinë për titullin ndaj Borusias së Dortmundit.