Mesfushori i Barcelonës, Dani Olmo, po përjeton një nga momentet më të mira të karrierës së tij. Kampioni i Europës me Spanjën verën e kaluar ka dhënë një intervistë për “GQ HYPE”, ku ka folur dhe për një debat tashmë të mbyllur nëse do të zgjidhte Kroacinë apo Spanjën.

“Unë jam spanjoll dhe kështu jam ndjerë gjithmonë. Kroacia dëshironte të më natyralizonte për Kupën e Botës në Rusi. E dija që Spanja do të më ofronte mundësinë. Kisha qenë me U-21 dhe kjo ishte ëndrra ime.

Kjo nuk është diçka që mund ta ndryshosh për një Kupë Bote”, komentoi Dani Olmo. Ish-lojtari i Dinamos së Zagrebit dhe Lajpcigut folur dhe për karrierën e tij te Barcelona. “Babai im më thirri dhe më tha se Barcelona më donte. E dija që ata ishin të interesuar, por nuk i dhashë rëndësinë që duhej, sepse diçka e tillë ndodhte çdo verë.

Kishte skuadra të tjera të interesuara, por e kisha të qartë ku do të shkoja, sepse Barça është shtëpia ime dhe ku kam dashur gjithmonë të luaj”, tha Olmo.