Vllaznia ka vijuar përgatitjet për takimin me rivalen historike, ekipin e Dinamos. Këto seanca stërvitore kanë nisur mes optimizmit nga ana e kuqebluve që duket se i janë afruar ndjeshëm objektivit që kanë për t’u rikthyer në Superiore. Këtë optimizëm e ka shtuar më tepër edhe shkëputja që kanë ndaj ndjekësve më të afërt, ekipit të Erzenit.
Po kaq optimist është edhe mbrojtësi shkodran, Olsi Gocaj. Sipas tij, Vllaznia është në rrugën e duhur drejt rikthimit në elitë. “Mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Megjithatë, është shpejt që të bësh llogari. Ne duhet që ta sigurojmë ngjitjen matematikisht shumë shpejt.
Prandaj duhet që të fitojmë të gjitha ndeshjet e fazës së tretë. Është herët për të festuar, pasi formula e kampionatit ka rifutur në lojë edhe ekipet e tjera. Por, mendoj se na duhet edhe pak punë më shumë për të zgjidhur njëherë e mirë gjithçka që ka lidhje me rikthimin në Superiore”, u shpreh Gocaj.
VËSHTIRËSITË
Mbrojtësi që luan në disa pozicione e vlerëson si vështirësinë e vetme të skuadrës së tij gjendjen e terreneve e po ashtu mënyrën që disa nga skuadrat kundërshtare luajnë kundrejt tyre. Por, sheh si kundërshtar vetëm veten. “Kemi vënë re se Kategoria e Parë ka vështirësitë e veta.
Ne kemi në gjirin tonë shumë lojtarë që luajnë shumë mirë teknikisht e taktikisht, ndërsa ka disa fusha apo skuadra që nuk të lënë të luash. Megjithatë, fakti që ne jemi në krye me meritë tregon se kemi punuar mirë. Si kundërshtarë nuk shoh asnjë skuadër veç vetes tonë. Ne duhet që të mos kënaqemi pa përfunduar gjithçka se vetëm kështu mund të gabojmë”, vijoi ai.
DINAMO
Vllaznia është e motivuar që të arrijë një tjetër rezultat pozitiv në fushën e vet, kësaj here përballë Dinamos. Për Gocajn nuk ka asnjë dyshim që kuqeblutë do të kërkojnë vetëm 3-pikëshin ndaj kryeqytetasve. “Në fushën tonë nuk do të diskutojmë asnjë rezultat tjetër veç fitores. Ky është objektivi i vetëm që kemi.
Vllaznia
Fusha mund të dhurojë surpriza, por ne jemi duke punuar shumë që të fitojmë çdo takim dhe të zgjidhim shpejt çështjen e rikthimit në Superiore. Prandaj edhe ndaj Dinamos jam optimist te triumfi. Nuk e nënvlerësoj aspak kundërshtarin, por ky është objektivi ynë”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën, mbrojtësi shkodran, Olsi Gocaj.