Vllaznia bëri prapa kthehu me Florind Bardullën, por jo me Olsi Gocajn, Antonio Markun dhe Arsen Hajdarin. Të katërve iu kërkua që të provoheshin, megjithatë asnjëri nuk pranoi.
Situatat ndryshuan vetëm para nisjes drejt Ohrit, ndërsa mbrëmjen e së hënës klubi doli me një komunikatë ku njoftonte rinovimin e kontratës për Bardullën. Kjo gjë nuk u ka lënë aspak shije të mirë lojtarëve të tjerë, ndërsa e cilësojnë si një veprim me dy standarde.
REAGIMI
Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Olsi Gocajn, i cili e quan të palogjikshëm vendimin e klubit. Ndonëse saktëson se nuk ka asgjë me Bardullën, pasi është një lojtar që e meriton ta veshë fanellën kuqeblu, ka mbetur i befasuar nga mënyra se si e trajtoi këtë histori klubi. “Më vjen mirë që Vllaznia afroi Bardullën. Ai është një lojtar që ka vlera dhe këtë e ka treguar në gjithë këto vite që kemi luajtur së bashku.
Por, më duket i palogjikshme ai vendim që mori klubi për ne, duke na kërkuar që të dilnim në provë pas kaq shumë vitesh që merremi me këtë sport. Nuk ka logjikë që me njërin të firmoset menjëherë dhe të tjerëve t’u ofrohet vetëm prova.
Klubi vendos vetë, por nuk mund të përdorë dy standarde. Kështu ishte edhe rasti i fundit. E thashë që më vjen shumë mirë për Bardullën, pasi e meritonte. Dhe, kjo që po them nuk ka kurrfarë lidhje me të. Është e drejta e klubit që të zgjedhë se kush do të firmosë e kush jo, por nuk është normale që të veprohet në këtë mënyrë me ne që kemi investuar kaq shumë në këtë sport”, u shpreh fillimisht mbrojtësi i shkodranëve.
VLLAZNIA
Për Gocajn duket se Vllaznia tanimë është një çështje e mbyllur. Ai po shikon mundësi të tjera. “Mendoj se s’kam çfarë pres më nga Vllaznia. Unë mendoj se kam pritur sa më s’bën me këtë klub. Kisha dëshirë që të vazhdoja, por respektoj mendimin e drejtuesve”, theksoi lojtari.
OFERTAT
Ai tani po shqyrton ofertat e tjera që kanë mbërritur nga ekipe të Kategorisë Superiore, por edhe nga Kosova. Gjithsesi, ai po shikon me kujdes për të marrë më pas një vendim në këtë drejtim. “Kam pasur kontakte nga ekipi i Flamurtarit, por edhe nga skuadra kosovare. Tani po shikoj dhe do të vlerësoj ofertën më të mirë, si në aspektin financiar, por edhe në atë profesional. Shpejt do të marrë një vendim për vazhdimësinë time”, përfundoi mbrojtësi shkodran.